Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalimin e fitores në sheshin “Skëndërbej”. Gjatë fjalimit ai i shtriu dorën për bashkëpunim Partisë Demokratike, në të mirë të të gjithë shqiptarëve.
“Lulzim Basha dhe PD bënë fushatën më të mirë në historinë e humbjeve të tyre. Ata ishin më skuadër se të gjitha herët e tjera dhe përtej ndonjë mospajtimi tradicional, demokratët ishin kundërshtarë jo dhe aq të lehtë këtë herë. U them atyre sinqerisht se më shumë se kaq nuk bënin dot, madje bënë më shumë se mund të bënin normalisht.
Mesazhi im i sinqertë për Lulzim Bashën është ky: Pranoje humbjen me dinjitet dhe me bindjen se nuk bëre dot çfarë deshe por bëre aq sa munde. Mospranimi i dinjitetshëm në kohën e duhur i kësaj humbjeje aspak turpëruese thjesht e zvogëlon në çdo orë që kalon përmasën e rezultatit që PD arriti të dielën përballë një makinerie fitoreje si PS. Miq demokratë, ne jemi më të mirët, ju jeni më të mirët pas nesh. Ky është fakt, dhe faktet pranohen nuk luftohen. Nuk më takon mua dhe nuk është as përgjegjësia dhe e drejta jonë të vendosim si do ta lexoni rezultatin dhe qëndrimin që do të mbani me udhëheqjen tuaj.
E thënë më troç, nëse do të jetë apo jo Lulzim Basha në katër vitet e ardhshme kjo është e drejta ekskluzive e juaja. Por me apo pa Lulzim Bashën, ne e kemi shumë të qartë që opozita jonë e vetme është Partia Demokratike. Dhe fitorja jonë e madhe nuk na e bën më të vogël, por më të madh detyrimin që t’i shtrijmë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë, konkret, pa asnjë paragjykim. Unë dua të jem kryeministri i gjithë shqiptarëve, jo vetëm i atyre që më dhanë mandatin e tretë. Unë dua që Shqipëria të ngjitet në majën që Zoti e deshi”, ka deklaruar Rama.