Kryeministri Edi Rama informon ditën e sotme se vendi ynë ka siguruar edhe 50 mijë vaksina të tjera Astrazeneca.

“LAJM I MIRË Sapo kemi siguruar 50 mijë vaksina të tjera Astrazeneca jashtë marrëveshjeve të deritanishme”, shkruan Rama.

Prej katër ditësh tashmë, në vend vijon vaksinimi masiv ndërsa në sheshin “Skënderbej” janë ngritur dy çadra ku po kryhet vaksinimi i të moshuarve mbi 75-vjeç, me vaksinën kineze “Sinovac”.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije ditën e sotme se krahas 20 mijë vaksinave Pfizer që pritet të vijnë në prill nga kontrata e drejtpërdrejtë, në qershor do të vijnë edhe 23 mijë vaksina të tjera Pfizer nga Covax.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që nga fillimi i procesit të vaksinimit janë kryer rreth 120,000 vaksinime. Deri tani kanë mbërritur në Shqipëri 282,520 vaksina anti Covid.

Kujtojmë se procesi i vaksinimit në vend vijon që prej 11 janarit në qendra të vaksinimit dhe shkolla. Qytetarët shqiptarë deri më tani po imunizohen me vaksinat Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe së fundmi edhe me Coronavac.

Shtyypini videon ne vijim dhe prisni pak per tu shfaqur