Në një bashkëbisedim me qytetarët në Vlorë, kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me largimin e të rinjve nga Shqipëria. Sipas tij, akuzat e lëshuara ndaj qeverisë janë skandaloze ndërsa tha se shqiptarët gjithmonë kanë lëvizur, përveç në kohën kur u mbajtën mbyllur nga Enevr Hoxha. Rama tha gjithashtu se ikja e të rinjve jashtë vendit nuk është fundi i botës.
KM tha:
Jetojmë në një fazë historike ku trendi i largimit të njerëzve nga vendi është negativ, më shumë ikin se vijnë. Ky nuk është vetëm fenomen shqiptar, por i gjithë vendeve që kanë dalë nga tranzicioni. Shqiptarët s’kanë dalë veç kur i mbylli Enveri në kafaz dhe i bëri gardelina që duhet të këndonin këngët e partisë. Në të kaluarën shqiptarët kanë qënë popull që kanë lëvizur gjithmonë. Unë kurrë nuk mund t’i them një 20 vjeçari që thotë dua ta provoj veten se nuk pres dot as një mandat tjetër as 2 për të më bërë këtu gjërat që kam dëshirë, por e dua sot dhe do shkoj ta marr atje. Sot jetojmë në një kohë tjetër. Mos harrojmë që ka shumë shqiptarë që janë kthyer në këto periudha. Vajtja jashtë është eksperiencë, shkëmbim kulturash, nuk është fundi i botës.