Kosova A te vajzat për herë të parë do të paraqitet në garat ndërkombëtare vitin e ardhshëm. Bordi i FBK-së ka vendosur që të formohet Përfaqësuesja A te vazjat dhe të luajë në arenën ndërkombëtare.

Kjo ide është pëlqyer nga komuniteti i basketbollit në
Kosovë.

Resmije Juniku, ish-basketbolliste e Gjeneratës së Artë të
Universitetit të Prishtinës, në fund të viteve 70-ta dhe në vitet e 80-ta ka
folur për këtë ide.

“Do të jetë një sfidë e madhe për Kosovën. Duhet shumë punë.
Sigurisht se, është një motivim për gjeneratat e reja. Gjithashtu edhe për disa
lojtare me përvojë, të luajnë dhe të përfaqësojnë vendin në arenën
ndërkombëtare. Përvoja është një faktor i rëndësishëm, megjithatë, ajo fitohet
duke luajtur, sidomos në garat evropiane. Fillimi nuk do të jetë i lehtë, por
me punë mund të arrihen sukseset”, është shprehur Juniku për faqen zyrtare të
FBK-së.

Kosova A (femrat) pritet të marrë pjesë në FIBA Kampionatin
Evropian të Shteteve të Vogla, që do të organizohet në vitin e ardhshëm në
Nicosia të Qipros prej 15 deri më 20 Qershor.

Në FIBA Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla-Femrat në
vitin 2020 janë paraqitur për të garuar: Andorra, Qipro, Gjibraltari, Irlanda,
Luksemburgu, Malta dhe Norvegjia, por që u anulua për shkak të pandemisë
Covid-19. Regjistrimi i shteteve për pjesëmarrje në FIBA Kampionate Evropiane
në FIBA Europe do të bëhet si zakonisht, pra ndërmjet muajve Shtator/Tetor
2020.

FIBA Evropa ka kërkuar nga të gjitha Federatat Nacionale që
të regjistrojnë ekipet e tyre për vitin 2021, pasi regjistrimet e paraqitura
për vitin 2020 nuk do të merren parasysh.