Ishte vetëm një 12-vjeçar që vinte nga Zvicra për të marrë pjesë në një garë talentesh në Shqipëri dhe, sapo mori mikrofonin në dorë e nisi me notat e para, të gjithë ishin të bindur se ishte gjeni dhe se e ardhmja do të ishte e suksesshme, pa asnjë diskutim.
Me babain nga Kosova dhe nënën nga Tirana (si për të na treguar gjenialitetin që ka sjellë bashkimi i dy pjesëve tona), Gjoni, një fëmijë i rrumbullakët, gati-gati naiv, shpërthente në skenë me zërin e tij brilant duke interpretuar këngë të mëdha si “Je t’aime” të Lara Fabian apo “Belle” nga “Notre Dame de Paris” në “Albanian’s Got Talent”.
Rrugëtimi sapo kishte nisur… Gjon Muharremaj, vite më vonë do të quhej Gjon’s Tears dhe ky emër, jo pa qëllim. Gjyshi i tij, një njëri me të cilin Gjoni është shumë i lidhur, qau herën e parë që dëgjoi nipin duke interpretuar këngën e Elvis Presley-t, “Can’t Help Falling In Love With You”.
Vit pas viti, brenda një 10-vjeçari, Gjoni konkurroi edhe në shumë gara të tjera muzikore, ku përfaqësoi Zvicrën, vendin nga vinte, por njëkohësisht duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët me talentin e tij të jashtëzakonshëm, e mbi të gjitha, edhe me zemrën e madhe që ka.
Ashtu siç bëri edhe në këtë Eurovizion… Djali i mirë me origjinë shqiptare bëri për vete të gjithë publikun, u vlerësua nga kritika muzikore për kompozimin më të mirë, por luftoi prej vërteti me të gjitha vendet “më të fuqishme” të Evropës deri në fund. Para se publiku të jepte verdiktin e tij final.
Votimi përfundimtar i jurisë, me 267 vota, e la Gjonin në vendin e parë, me këngën “Tout l’Univers”, duke lënë pas Francën me Barbara Pravin (e cila herë pas here s’po kuptonte kush po ia zinte “vendin e parë”), Italinë me “Maneskin”, por edhe Maltën me përfaqësuen e saj, Destiny.
Ky rezultat u përmbys pas votave të publikut, i cili dërgoi Italinë në vend të parë, Francën në vend të dytë, ndërsa Gjonin në vend të tretë. Megjithatë, siç tha edhe vetë pas çmimit të jurisë, Gjoni e mori çmimin e tij: “Unë e mora çmimin tim… Jam shumë i lumtur dhe nuk mund ta besoj të gjithë këtë ndikim që ka pasur kënga ime në publik”, – tha ai mes të tjerash duke e përcjellë çdo fjalë me buzëqeshjen e tij të ëmbël dhe me sytë e përlotur që i shkëlqenin nga gëzimi.
Aty, pak më lart tij në sallë ishin prindërit dhe gjyshi. Duke ngritur kokën drejt tyre, tha se sapo gjithçka të mbaronte, telefonata e parë do ishte drejt tyre… Pastaj do flinte gjumë….