Vlugu i klipeve kot të këngëtarëve tanë ka vazhduar tutje, teksa sot Dafina Zeqiri ka publikuar këngën më të re.

‘Japa’ titullohet kënga, e cila është klishe e pastër e asaj që e kemi dëgjuar me mijëra herë më parë, e që është storia e një dashurie të dështuar, ku interpretuesi/ja pretendon se pala e kundërt ka humbur shumë dhe i ka rënë pishman për atë që ka bërë, ose të paktën ashtu diçka mundohet të thuhet.

Teksti është qartazi i bazuar më shumë në interpretim se sa në përmbajtje, me artisten që e ka gjetur atë melodinë e kapshme për të gjithë, sepse fundja ajo ka rëndësi, shkruan Periskopi.

Dikush që nuk e kupton as edhe një fjalë tjetër, por e ka kapur vetëm një pjesë të refrenit ku ajo thotë ‘japa, japa’ dhe e interpreton me tonalitet të theksuar, sikur dëshiron t’u thotë të tjerëve ‘dëgjoni këtë pjesë, se veç kjo ka rëndësi.’

Sidoqoftë, pjesa më e tmerrshme ku ekspozohet komplet ajo që ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodhë edhe më tutje në estradën tonë, janë pamjet e klipit.

Performuesja nuk i lejon as edhe një grimce hapësire të vetme ndonjë pamjeje tjetër që nuk ka të bëjë me të, trupin e saj, fytyrën, flokët, veshjet…

Për 2 minuta e 46 sekonda, ajo nuk rresht së sulmuari kamerën në secilën sekuencë të mundshme, teksa bën tentativa dëshpëruese të duket seksi e të fitojë simpatinë e shikuesit.

Imagjinojeni çfarë pune të lehtë dhe sa para të lehta ka fituar produksioni që është marrë me klipin.

Shumë e thjeshtë, angazho dy kameramanë, gjeni ndonjë kolltuk që duket i shtrenjtë, ndonjë shank me drita prapa, ndriçim sa ma shumë që të ekspozohet trupi dhe të vërehet secili detaj sepse ajo ka shpenzuar orë të tëra në palestër për të fituar muskuj dhe të tjerët duhet ta shohin.

Oh, dhe një gjë që duket se është shumë e rëndësishme për kameramanët dhe që sigurisht se urdhërohen edhe nga eprorët, është të fokusohen krejtësisht në trupin e këngëtares, veshjet, ndonjë bizhuteri që ajo ka vënë aty-këtu, stili i flokëve.

Tundje, kërcime të shthurura, lëvizje andej-këtej, thonjë të gjatë dhe prekje të trupit janë torturat me të cilat duhet të përballet njeriu i rëndomtë në vazhdim. /Periskopi.com/