Aktori i madh Gulielm Radoja është përcjellë ditën e sotme për në banesën e fundit. Miqtë dhe kolegët e tij që kanë ndarë disa nga kujtimet që kanë kaluar me aktorin duke folur pët ABC.

Ish-drejtori i Teatrit të Durrësit, Bardhyl Agasi e ka konsideruar këtë humbje të pabesueshme: “Një nga vlerat e mëdha kombëtare pavarësisht se ishte i Teatrit të Durrësit, por kontributin më të madh e kishte në kinematografi dhe me interpretimet që ka bërë ka shkëlqyer gjithmonë. Mbetet pa frikë nderi i kombit Gulielm Radoja. Shikoni sa njerëz janë mbledh megjithëse është një kohë e vështirë, Gulielmi me shpirtin e tij të madh, hokatar gjithmonë, njeri shumë i thjeshtë sikur të mos ishte ai artisti i madh, me një humor brilant i bënte njerëzit për vete. Ngushëllime për familjen është një humbje shumë e madhe”.

Aktori dhe ndër miqtë më të mirë të Radosë, Roland Koça tregoi se Gulielmi nuk ishte mirë nga gjendja ekonomike dhe vetëm falë Këshillit Bashkiak u bë me shtëpi.

“Me Gulielmin kishim marrëdhënie jashtëzakonisht të mira shoqërore. Për mua ishte një njëri jashtëzakonisht simpatik, jo nga pamja se pamja e tregon vetë që ishte mashkull shumë i bukur, por në shpirt si një njëri jashtëzakoshtë i mirë, preferonte shumë shakatë, kishte qejf kur e ngacmonin të ngacmonte, qeshte me lot. Këtu në Durrës të dy me një biçikletë shëtisnim, pra një artist kaq i madh të vd esi fukara. Shyqyr që ja dhanë një banesë sociale sepse ai për momentin nuk kishte besim që do e merrte shtëpinë. Shyqyr Këshilli Bashkiak që e vlerësoi dhe mori shtëpinë. Sot më duket e pabesueshme se takoheshim përditë”.

Ndërsa regjisorja Driada Dervishi me lot në sy ka thënë se kjo është një ditë e trishtë jo vetëm për familjarët e aktorit por të gjithë shqiptarët: “Është një dhimbje shumë e madhe që në radhë të parë u takon familjarëve, por zysh Lida me shumë modesti tha që Guliemi nuk ishte vetëm i imi por i gjithë shqiptarëve. Ndaj unë besoj që kjo humbje është për të gjithë. Është një ditë shumë e trishtë, ndoshta nuk do na duket e pabesueshme nesër pasnesër kur ne të shikojmë gjithë pasurinë e madhe që na ka lënë ne dhe brezave që do të vijnë. Edhe them disi do ngushëllohemi duke ndjekur rolet, filmat e tij të mrekullueshëm që na ka lënë”.