2020-a ka qenë një vit i paharruar për Arbana Osmanin. Ajo u bë nënë për herë të dytë e një djali që ia ndriçoi jetën në një kohë mjaft të vështirë. Rrallë ajo ndan me publikun sfidat që kalon në jetën personale, por në një natë si ajo e ndërrimit të viteve, emocionet nuk mbahen vetëm për vete. Në një mesazh të gjatë për gjithë vitin që ka lënë pas, Arbana kujton ngjarjet që do t’i kujtojë shumë gjatë, por kulmojnë me një lumturi të madhe siç ishte lindja e Diellit. Ndërsa u uron të gjithë miqve të saj virtualë Vitin e Ri, Arbana kujton me jo pak emocione gjithçka që ka kaluar:

Viti që po lë pas, për shumë arsye, do jetë i paharrueshëm për mua, por në mënyrë të veçantë, do ta kujtoj gjithmonë si vitin që më “bëri të kuptoj më shumë se kurrë” se çfarë është vërtet e rëndësishme në këtë jetë. Nisi me një humbje të madhe, vdekjen e Nanës, e teksa nuk pushoja dot së qari për gjyshen e shtrenjtë, si një dhuratë prej Zotit, dy ditë më pas mësoj që pres një fëmijë tjetër dhe befas, në shpirtin tim lindi Dielli. Një fëmijë që një natë para se të shkoj ta lind në maternitet, nuk do të mund ta prisja duke pasur pranë nënën time siç e kisha menduar, sepse vuante bashkë me babin sëmundjen nga Covid që i tronditi jo pak. Ka qenë një vit ku nuk kam shëtitur vendet e botës, por kam zbuluar botën brenda shtëpisë sime. Jam detyruar të ndërpres emisionin, por jo emocionet. Nuk isha dot në ekranin e tv, por kam qenë në kuzhinat e të gjithë shqiptarëve. Ka qenë viti kur puna ime e 20 viteve është shpërblyer me një nga kontratat më të rëndësishme financiare dhe viti kur ndërtuam shtëpinë tonë të vogël të ëndrrave. Ishte gjithashtu viti kur më shumë se kurrë më parë kam zgjedhur të jem akoma më pranë jush në këtë platformë sociale. Dhe kjo, më ka bërë të lumtur. Faleminderit që kemi ndarë bashkë këtë vit plot sfida, të pazakontë, por gjithsesi të çmuar pafund, për atë çka na mësoi. Gëzuar të gjithëve, ju dua.