Portieri i Leicester Cityt, Kasper Schmeichel, e doli në mbrojtje homologut të tij në Manchester United, David de Geas, i cili është kritikuar gjatë këtij sezoni dhe veçanërisht në xhirot e fundit.

Pozita e David de Geas si portier i parë në skuadrën e
Manchester Unitedit është vënë sërish në pikëpyetje pas disa paraqitjeve të tij
të dobëta në ndeshjet e sezonit 2019/20, transmeton Gazeta Express.

Shumë tifozë dhe analistë kanë bërë thirrje që Manchester
Unitedi ta kthejë portierin e huazuar në Sheffield United, Dean Henderson, veçanërisht
pas gabimeve të De Geas në disfatën e gjysmëfinales së FA Cup kundër Chelseat.

E para ndeshjes mes Leicester Cityt dhe Manchester Unitedit,
që do të jetë vendimtare për garën për kualifikim në sezonin e ardhshëm të Ligës
së Kampionëve, Schmeichel e ka mbrojtur De Gean.

“Mund të jetë e vështirë dhe ju duhet ta mbani mend, po e
them këtë pa pasur qëllim të keq ndaj gazetarëve ose analistëve, por ju nuk
keni qenë asnjëherë portier”, ka thënë Schmeichel.

“Ju i klasifikoni gjërat si gabime dhe nganjëherë ato janë
gabime, por rrëfimi mund të ndërtohet rreth një portieri sepse puna e analistëve
dhe gazetarëve është kjo. Ju jepni mendime për gjëra të caktuara në punën e
portierit, që nganjëherë mund ta dëmtojë atë portier”.

“Kjo është e rrezikshme sepse papritmas fillon të ndërtohet
një momentum dhe për dikë si Davidin, më vjen me të vërtetë keq për të sepse ai
ka qenë i jashtëzakonshëm për aq shumë vite dhe çdo portier e kalon një periudhë
të formës së dobët”. /Gazeta Express/