Një Ibrahimoviç shqiptar po rritet te Bajern Mynih. Nuk është lojë fjalësh, por është e vertetë pasi në radhët e bavarezëve, dhe që nga sot nën urdhërat e Julian Nagelsman, gjendet edhe një djalosh shqiptar i cili mban mbiemrin e sulmuesi të njohur suedez.

Arijon Ibrahimoviç ka mahnitur në edicionin e fundit me fanellën e skuadrës U17 të Bajernit si një mesfushor ofensiv, pasi ka regjistruar 20 gola e 17 asiste. Shifra të cilat nuk kanë kaluar pa u vënë re nga trajneri i ri i bavarezëve, i cili ka vendosur të shohë nga afër këtë talent të ri, i cili është ende vetëm 15 vjeçar.

Kështu, Ibrahimoviçi i rritur në Nyrenberg në një familje me origjinë nga Kosova, është shfaqur sot në seancat stërvitore të Bajernit, i monitoruar me kujdes nga Nagelsman dhe stafi i tij, i cili po përgatit një listë me emra që do t’i ketë vazhdimisht në stërvitje me ekipin e parë mes talenteve të akademisë. Djaloshi shqiptar është regjistruar në këtë edicion si pjesë e ekipit U19 pasi te bavarezët të gjithë janë të bindur se ai mund të djegë shpejt etapat, ndaj kjo provë përpara syve të Nagelsman mund të jetë shumë e rëndësishme për të ardhmen e tij.