Lulzim Basha së bashku me bashkëshorten, Aurelen ishin të ftuar tek rubrika “Gjysma ime” tek E Diela Shqiptare ditën e sotme. Gjatë intervistës Basha tregoi një bisedë me vajzën e tij të madhe Dafinën, kur ajo ishte 4-5 vjeç. Basha tregoi se fjalët e së bijës i kanë ngelur peng dhe sot e kësaj dite.

“Kur Dafina ishte 5 ose 5 vjeç po ecnim përdore në bregdet në Qerret dhe na ndalonin njerëzit. Ajo u mërzit dhe më thotë ba hajde ikim se u mërzita gjithë këta njerëz, më puthin faqet se ti je i famshëm. Më goditi në zemër dhe thashë që ky është momenti, do ulem me gocën time dhe t’i flas pak, të fillojë të kuptojë sepse këto janë vite ku formohet karakteri i një njeriu.

U mërzita shumë dhe më është dashur të ulem me të sepse më tha ti nuk rri me mua mjaftueshëm, siç rrinë të tjerët, domethënë e kishte ndjerë mungesën. I thashë kjo është një punë që unë të ndihmoj të tjerët, për shembull fëmijët që nuk kanë kaq shumë lodra sa ke ti, që të kenë dhe ato lodra, apo ka dhe fëmijë që kanë probleme me ushqimin, prindërit nuk kanë punë, duhet t’i gjejmë ne punë dhe përpiqemi t’i ndihmojmë. Reagimi i parë ishte prekës, erdhi në mëngjes dhe më solli një gjirafë dhe më tha ja ta solla, çoja dikujt që s’ka lodra”, tregoi Basha.