Diva e muzikës shqiptare, Adelina Ismaili është rikthyer fuqishëm në qendër të mediave rozë. Shkas për këtë është bërë gjesti humanitar që ajo ka bërë për familjet në nevojë.
Adelina ndër vite ka argëtuar popullin shqiptar si interpretuese e shumë hiteve, të cilat edhe pse ka kaluar kohë, mbeten ende të preferuara për publikun.
Ajo që na bëri më shumë përshtypje në këtë lajm, është se Adelina e kishte ruajtur me fanatizëm, duke mos e bërë publik këtë gjest humanitar.
Me kontributin e saj, ajo u ka dhuruar shtëpi 12 familjeve që janë në nevojë.
Ky lajm ka qarkulluar fillimisht në rrjetet sociale nga disa media të panjohura, por që njërin prej tyre, Adelina e ka ndarë me ndjekësit e saj në Facebook.
Media u interesua për këtë rast, duke pyetur anëtarë nga afër të familjes Ismaili, të cilët në kushte anonimiteti e konfirmuan një gjë të tillë.
Ata u shprehën se është plotësisht e vërtetë që këngëtarja ka bërë me kulm mbi kokë rreth 12 familje, por se për një gjë të tillë nuk dëshiron të prononcohet para kamerave.
Humanizmi i Adelinës nuk është rastësor, pasi media ka mësuar gjithashtu se vite më parë, kur e ëma e saj ishte gjallë, Mona Ismaili, ajo ka mbajtur për vite të tëra një familje të varfër me një rrogë mujore, si ndihmë financiare.
Bamirësi të tilla kanë bërë edhe dy motrat e Adelinës, Ema e Zanfina, por që nuk kanë preferuar asnjëherë që ato që bëjnë, t’i ndajnë me publikun.