Një grua nga Mali ka lindur nëntë fëmijë, dy më shumë nga sa mendonte se priste. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të vendit, ekografitë kanë zbuluar vetëm shtatë fëmijë dhe babai e nëna 25-vjeçare, por edhe të gjithë të tjerët, janë surprizuar kur në jetë kanë ardhur nëntë fëmijë.

Ekografitë e bëra në Mali dhe Marok treguan se Halima Cisse ishte shtatzënë me shtatë fëmijë. por të martën, ajo lindi 5 vajza dhe 4 djem. Cisse u shtrua në një klinikë marokene pas një qëndrimi 2-javor në një spital në kryeqytetin Malian, Bamako.

Si dhe nëna, ashtu edhe të porsalindurit janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Shtatzënia e Cisse mori shumë vëmendje në Mali, edhe pse mendohej se ajo mbante vetëm 7 fëmijë në bark. Mjekët në Afrikën Perëndimore ishin të shqetësuar për mirëqenien e saj dhe shanset e mbijetesës së foshnjave, kështu që qeveria ndërhyri. Pas një qëndrimi 2-javor në një spital në kryeqytetin e Mali, Bamako, u mor vendimi për të zhvendosur Cisse në Marok, më 30 mars. Pas 5 javësh në klinikën marokene, ajo lindi me prerje cezariane të martën. Cisse ishte 25 javëshe shtatzënë kur u shtrua dhe mjekët kishin arritur ta zgjasnin shtatzëninë e saj në 30 javë.

Burri i Halima Cisse, Adjudant Kader Arby, ndodhet në Mali me vajzën e madhe të çiftit, por ai thotë se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me gruan e tij në Marok dhe nuk shqetësohet për të ardhmen e familjes.

“Zoti na i dha këta fëmijë. Është ai që vendos se çfarë do të ndodhë me ta. Unë nuk shqetësohem për këtë. Kur i Plotfuqishmi bën diçka, ai e di pse,” -tha ai për BBC Afrique. “Të gjithë më telefonuan! Autoritetet maliane më telefonuan duke shprehur gëzimin e tyre. I falënderoj… Edhe presidenti më telefonoi.”

Lindjet e shumëfishta janë të rralla dhe shumica prej tyre janë si rezultat i trajtimit të fekondimit in vitro.

Sipas Rekordeve Botërore të Guinness, rekordin për më shumë fëmijë të lindur në një lindje të vetme deri tani e mbante Nadya Suleman, e cila në vitin 2009 lindi 6 djem dhe 2 vajza në Kaliforni.