Kryeministri Edi Rama, në ditën e fundit të fushatës ka publikuar në video në rrjetin social “Facebook” në të cilën ka bërë një përmbledhje të aktivitetit të tij politik në Shqipëri.
Ndërsa e nis me një foto të fëmijërisë, ai gjithashtu ndalet tek detyra e parë si Ministër Kulture.
Brenda këtij filmi të shkurtër, jepen momente më pikante të karrierës së kryeministrit. Ai kujton atentatin ndaj tij si kryebashkiak, prishjet e ndërtimeve pa leje, transformimet , akuzat për kundërshtarët.
Po ashtu pjesë e kësaj video është edhe bashkëshortja Linda Rama, e cila tregon rreth atentatit të Ramës.
“Më 28 janar u caktua për t’u bërë protesta homazh dhe vetëm një ditë më parë në mbrëmje Edi u njoftua në mbrëmje nga agjenci serioze që kishte një plan për eliminimin fizik të tij.
Shqetësimi real dhe i madh në diskutimet tona ishte rreziku i provokimit të një gjëje të rëndë në një masë shumë të madhe njerëzish që parashikonin të vinin në këtë protestë dhe Edi mori vendimin që protesta në asnjë lloj rasti nuk mund të anulohej sepse nëse do anulohej do instalohej frika.
E tha shumë qartë që jeta ime nuk ka kurrfarë vlere para atyre që mbetën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’”, tha Linda Rama.
Po ashtu tërmeti, pandemia, rindërtimi si edhe fushata e vaksinimit paraqiten si suksese të Partisë Socialiste, ndërsa vetë Rama siç edhe është shprehur në daljet e tij publike thotë se çdo vështirësi apo krizë është një mundësi e cila duhet të kthehet në një fillim të ri.
“Ishte dikur Tirana”, shkruan bashkangjitur videos.