Kreu i Kadastrës Artan Lame ka reaguar në lidhje me audio-përgjimin e dalë në media, ku ai kërkon nga punonjësit e tij që të mashtrojnë qytetarët, duke i mbajtur me premtime qytetarët me qëllim që ata të mos votojnë PD.
Reagimi i plotë i Artan Lames:
‘Sot u publikua një regjistrim i një diskutimi tim, të folur në tetor (ose nëntor) 2017, për problematikat e vijimit të procesit të legalizimeve. Aty jemi pas zgjedhjeve të atij viti, pra nuk mblidhemi për të blerë vota se votat i kishim marrë, dhe po diskutojmë se si do të trajtojmë objektet që, me ligjin e trashëguar nga Saliu, nuk mund të legalizoheshin dot.
Të gjitha shifrat që përmenden aty janë të vërteta për atë kohë, le që unë i kam deklaruar vazhdimisht edhe publikisht dhe mund t’i gjeni në të gjitha daljet e mia publike.
Them ‘janë të vërteta për atë kohë’, sepse ndërkaq kemi ecur përpara. Pra, aty them 150 mijë legalizime, sot kemi tejkaluar 210 mijë. Aty them që kanë mbetur edhe 170 mijë por ndërkaq prej këtyre 60 mijë të tjera u bënë. E vetmja shifër ku nuk lëviz, janë rreth 90.000 ndërtime që nuk mund të legalizoheshin me ligjin e asaj kohe dhe këtë e kam thënë sa e sa herë edhe në media.
Natyrisht që unë aty them se ‘po nuk gjetëm një zgjidhje për këta njerëz, ata do të bëhen mish për top për palën tjetër’. Kush mund të thojë që nuk është kështu?!
Natyrisht që unë them se ‘këtyre njerëzve që nuk mund të legalizohen, ne do t’ju themi që do të gjejmë një zgjidhje kur të bëjmë ndryshimet ligjore’. Pse, ç’do t’ju thonim, që do t’ju vëmë kazmën sepse kështu e ka ligjin Saliu? Dhe këtë unë e kam përsëritur kaq e kaq herë në çdo takim publik.