Qeveria ka parashikuar që edhe tetë rrugë të tjera në vend të taksohen dhe të bëhen me pagesë. Sipas skemës së taksimit të hartuar nga BERZH pritet që pagesa të variojë nga 0.5 cent- 3.5 cent për kilometër. “Panorama” ka zbardhur tarifën pa TVSH që do të paguajnë drejtuesit e makinave edhe për 8 rrugët e tjera, sipas dy tarifave të rekomanduara dhe pritet që taksimi të bëhet në tri faza. Fillimisht rekomandohet vendosja e taksës në rrugën Tiranë-Durrës, Tiranë- Elbasan -Korçë dhe Rruga e Arbrit, e cila është ende në ndërtim. Referuar tarifave të rekomanduara nga BERZH dhe kostove minmale dhe maksimale të kalimit, një makinë pa TVSH që të përshkojë aksin Tiranë-Durrës duhet të paguajë 0,17 euro sipas tarifës minimale dhe 1,19 euro pagesa minimale.
Për rrugën Tiranë- Elbasan, tarifat variojnë nga 0,135 euro cent në 0,945 euro cent. Në Rrugën e Arbrit tarifat e taksimit variojnë nga 0,375 cent në 2,625 euro cent. Faza e dytë parashikon taksimin për rrugën Levan-Vlorë dhe Durrës-Fier. Kostot në rrugën Levan –Vlorë variojnë 0,121-0.847 euro cent. Ndërsa në rrugën Durrës- Fier taksimi varion nga 0,341- 2,387 euro cent. Faza e tretë parashikon taksimin për rrugën Elbasan- Kapshticë dhe Tiranë –Hani i Hotit. Sa i përket këtyre dy rrugëve, strategjia e BERZH-it nuk rekomandon dhënien me koncesion të të gjithë aksit, por vetëm një pjese të tyre. Për rrugën Elbasan- Kapshticë rekomandohet dhënia me koncesionin vetëm për 41,6 kilometër.
Tarifat që llogariten për këtë aks variojnë nga 0,208 cent në 1,456 cent për kilometër. Për rrugën Tiranë –Hani i Hotit rekomandohet dhënia me koncesion për 45 kilometër dhe tarifat variojnë nga 0,225 -1,575 euro cent.