Nata e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur” i ishte dedikuar historive të veçanta që shprehën dashurinë në forma të ndryshme. E tillë ishte edhe historia e dytë, historia e dashurisë së Gentit, djalit që u martua me vajzën që as nuk dëgjonte dhe as nuk mund të fliste.

Genti në studio rrëfeu se ishte njohur me gruan e tij, Desdemonën nëpërmjet ndërmjetësimit të hallës së tij, e cila fillimisht nuk i kishte treguar se vajza me të cilën ai priste të lidhte kurorë e kishte të pamundur të fliste dhe të dëgjonte. Por edhe pasi ishte informuar për aftësinë e saj të kufizuar, kjo gjë nuk kishte ndikuar aspak në vendimin e tij për ta pranuar Desdemonën si bashkëshorten e tij të ardhshme.

Genti tregoi se fillesat e kësaj marrëdhënie ishin shumë të vështira, pasi u ishte dashur që mes tyre të gjenin një mënyrë komunikimi të vlefshme dhe efektive për të dy palët, por më pas gjithçka u kthye në normalitet. “Në fillim ishte shumë e vështirë që të kuptohesha me të, se ajo e ka inat të përdorë dhe gjuhën e shenjave, por pas disa kohësh u mësova me të.”,- u shpreh Genti.

Në programin “Dua të të bëj të lumtur” surpriza i’u dedikua pikërisht Desdemonës, e cila nëpërmjet ndihmës të së bijës, mori nga bashkëshorti mesazhin romantik, falenderues dhe dashamirës për gjithë këto 20 vite të kaluara së bashku: “Desdemona dua të them që unë të dua e do të të dua gjithmonë, prandaj të faleminderit dhe dua të të them që nuk ke pse bëhesh xheloze për asgjë”.

Nga ana tjetër Desdemona nëpërmjet ndihmës së vajzës së saj Kristinës, tregoi se Gentin e kishte dashur që në momentin e parë që e kishte parë. Çifti në studio rrëfeu se pavarësisht vështirësive të mëdha ekonomike, ata i’a kanë dalë mbanë që të krijojnë një familje të lumtur.