Pas mbylljes së një sezoni të suksesshëm në “Portokalli”, drejtuesja e programit, Eneda Tarifa ka njoftuar se rrugëtimi i saj në spektaklin e humorit ka përfunduar.
Eneda e ka dhënë lajmin pak orë më parë, përmes një postimi në Instagramin e saj. Ndër të tjera, ajo ka shtuar se ka ardhur koha që të sjellë në jetë projektet e saj, por nuk ka dhënë detaje se për çfarë bëhet fjalë.
“Të dashurit e mi, miq real e virtual, më duhet t’ju njoftoj se rrugëtimi im me spektaklin “Portokalli” përfundon këtu. U riktheva me mall në atë skenë kur m’u propozua nga drejtuesit dhe në një farë mënyre “E nxora mallin…” kur i thonë një fjale. Por është momenti që të sjell në jetë projektet e mia pa më “shitur” dhe pa më “blerë” dikush (sikurse shkruhet në disa portale) dhe vazhdoj të jap kontributin tim artistik për këtë vend. Do komunikoj me ju vetëm në profilet e mia zyrtare në rrjete sociale dhe në kanalin tim në YouTube. Shihemi së shpejti… Faleminderit që jeni gjithmonë me mua dhe më keni mbështetur. Ju dua të gjithëve”, -ka thënë Eneda.
Ndërkohë nuk dihet ende se kush do ta drejtojë sezonin e ri të Portokallisë.