Albert Muça dhe Luan Hallulli, me profesion muratorë vendosën të rikonstruktojnë godinën pasi panë gjendjen e kishës. Fakti që dy besimtarë myslimanë nga Shqipëria ndërmarin këtë vendim tërhoqi vëmendjen e mediave italiane.
Luan Hallulli rrëfen për “Shqipëria live”: “Ishte shumë spontane, po punonim te provinca aty, po suvatonim dhe dëgjuam disa besimtarë që po hynin në kishë dhe thoshin “O Zot, ku po futemi?!’. U bëmë kurioz dhe i pyetëm një ditë. Na kërkuan të hyjmë brenda. Ç’të shihnim, gjendje katastrofike, ishte e shkatërruar, si hynin për t’u lutur aty brenda. Kërkuam të bisedojmë me një përfaqësuese. I thamë nuk duam lekë, do ta bëjmë vetë“.
Provinca e Popolit është zonë ku nuk mungojnë tërmetet. Dëmtimit të kishës nga mosndërhyrja ndër vite i ishin shtuar edhe dëmet nga tërmeti.
Luan Hallulli thotë se janë angazhuar për një muaj me kohë të plotë që të restauronin kishën e San Rokos. Italianëve iu bëri përshtypje besimi i dy shokëve por Luani thotë se feja nuk na ndan. “Ne jemi vëllezër me të gjithë, pavarësisht besimit. Kemi rreth 30 vite këtu”