Ai tregoi edhe një histori kur ishte komentator i ndeshjes në Kavajë para se të rrëzohej sistemi komunist, kur stadiumi brohoriste “Poshtë komunizmi”.
Meta tregon se xhami i kabinës nga e cila komentonte ishte i thyer dhe kjo bënte që tifozët të dëgjoheshin më shumë se ç’duhej, ndaj edhe kur komentatori i madh Ahmet Shqarri u lidh në radio me të, për shkak të brohoritjeve të mëdha u detyrua të shkëpuste lidhjen, me justifikimin se kishte një defekt teknik.
Pyetje (Glenti Nallbani): Si filloi pasioni juaj si komentator në radio dhe sa zgjati?
Presidenti Meta: Unë gjithmonë kam qenë i dhënë pas sportit. Kam qenë sportist profesionist në peshëngritje me “Dinamon” për gati 2-3 vite, por edhe shumë i dhënë pas futbollit.
Gjithashtu kam qenë shumë i dhënë pas letërsisë e gazetarisë dhe kisha shumë dëshirë të shkruaja.
Për shkak të këtyre të dhënave dhe për shkak të një miqësie, që babai im kishte me Ahmet Shqarrin, i cili ishte drejtuesi kryesor i emisionit më të ndjekur dhe më tërheqës për të gjithë sportdashësit në atë kohë, “Nga njëra ndeshje, në tjetrën” në Radio Tirana, ai më ftoi për të qenë komentator.
Pyetje (Glenti Nallbani): Ju bëtë një provë para se të fillonit?
President Meta: Bëra një provë, por siç ju thashë më jepej për të shkruar, madje kam botuar tek gazetat “Studenti”, “Zëri i Rinisë”, pra isha i afërt si të thuash me gazetarinë.
Pyetje (Denis Dyrnjaja): Në fakt zoti President keni dhe një diksion shumë të mirë të zërit. Keni një zë shumë interesant radiofonik. Madje mund t’ju them se pas z.Berisha jeni shumë i suksesshëm në mitingje, se z.Basha çalon pak tek kjo pjesë.
President Meta: Ju falenderoj që e vendosni zotin Berisha para meje, e pranoj këtë. Doktori ka një diksion zëri të paparë.
Pyetje (Sidorela Gjoni): Si përfundim komentuat në disa ndeshje apo jo?
President Meta: Po, kam komentuar disa ndeshje. Kam qenë komentator në veçanti për Kavajën, sepse nuk kishte një komentator të përhershëm. Gjithashtu kam qenë komentator për Lushnjen, për Fierin, por kam komentuar edhe në Tiranë me të madhin Ismet Bellova, pavarësisht se në kryeqytet kishte edhe shumë emra të tjerë si Veli Rada e shumë personalitete.
Pyetje (Denis Dyrnjaja): Pra ju shkonit si korrenspondent?
President Meta: Po, çdo të shtunë ose të diel, në Kavajë, në Fier dhe në Lushnje.
Pyetje (Denis Dyrnjaja): Në cilat vite ndodhte kjo?
President Meta: Kjo ka ndodhur në vitet ’89 – ’90. Madje kam pasur dhe një histori interesante në Kavajë, kur stadiumi brohoriste “Poshtë komunizmi!”, para Lëvizjes Studentore. Ishte thyer xhami i kabinës ku unë transmetoja dhe kur më kërkon në transmetim z.Ahmet Shqarri dhe më thotë: “A jemi gati Kavaja?”, unë qëllimisht ju përgjigja: “Po gati jam”. Në momentin që unë filloj dhe komentoj, nuk dëgjohej fare se çfarë thoja unë, se stadiumi brohoriste: “Poshtë komunizmi”. Nga ana tjetër e linjës dëgjoj: “Ka një defekt teknik Kavaja, kalojmë linjën në një rreth tjetër”.
Pyetje (Denis Dyrnjaja): Pra ju ishit bërë “palë” me tifozët…
President Meta: E vërteta është se unë enkas e kërkova lidhjen me Tiranën.
Pyetje (Glenti Nallbani): Dhe derisa sa kohë e vazhduat komentimin..
President Meta: Me fillimin e Lëvizjes Studentore, ra interesi im për të vijuar këtë angazhim. Por dashuria ime për radion mbeti e përhershme edhe për shkak të atij angazhimi. Për më tepër që në atë periudhë, para viteve ’90, ishte një ëndërr e madhe të punoje në radio dhe të komentoje ndeshje. Në atë periudhë, e gjithë Shqipëria ditën e diel, me një radio Iliria, çdo familje ndiqte ndeshje futbolli. Ishte një nga kënaqësitë e mëdhaja të asaj periudhe.
.