Jo shumë i njohur për publikun e gjerë, por artistë të shumtë tek ai shihnin njeriun e vlerave të larta.
Aktori i lindur në Prizren më 1947, Enver Kaçaniku, përpos shfaqjeve të shumta teatrale, hyri edhe në celoluidin e kinemasë me rolet e tij në filmat “Migjeni” dhe “Si të vdíset”.
Të premten është ndarë nga jeta, kumt ky që është bërë i ditur nga këngëtari Shkumbin Kryeziu.
Përmes një telegrami ngushëllimi, Ministria e Kulturës gjatë ditës ka vlerësuar se vendi ka humbur një njeri me vlera të larta.
Edhe Teatri Kombëtar i Kosovës, me këtë rast, ka shprehur ngushëllime në adresë të familjes së tij dhe “familjes teatrore para së gjithash, miqve dhe kolegëve të tij, me të cilët ka punuar në teatër dhe që e kanë njohur nga afër”.
Ndërkohë, sipas lajmërimit të familjarëve, homazhet përkujtimore u mbajtën të shtunën prej orës 10:00 deri në 13:00, në hollin e Teatrit Kombëtar.