Teksa të gjithë po presim me padurim vjeshtën që të nisë seriali i shumëpritur “H.O.T” (Humans of Tirana), Ermal Mamaqi dita ditës na zbulon nga një detaj që na i shton edhe më shumë kuriozitetin.

Sot producenti na ka zbuluar se pas kaq vitesh ka vendosur që për këtë serial të ndryshojë pamjen. Ermali është shfaqur me flokë të gjata të mbledhura bishtalec dhe thuajse nuk njihet.

“Miq, ju prezantoj me Danin.

Personazhi im në H.O.T.  Sapo nisëm xhirimet e Serialit që do ju bëjë të qeshni dhe të qani, por më shumë të mendoheni… Jam i sigurt që do ju pëlqejë. Qëndroni të ftohtë deri sa ta shfaqim, se pastaj do jeni shumë HOT”, shkruan Ermali krah fotove nga xhirimet.

Seriali ka si producentë Ermalin dhe Dritan Huqin, ndërsa si autorë Klaudia Brahimajn dhe Bjordi Mezinin. “H.O.T” ka bërë bashkë emra shumë të njohur për publikun, si Jonida Vokshi, Ermal Mamaqi, Irgen Çela, Megi Pojani, Klea Huta, Inis Gjonin, Kastriot Çaushi, Ana Lika, Gëzim Rudi, Amos Zaharia, Erblin Bajko dhe Monika Lubonja. Të gjithë së bashku do i shohim në ekran në muajin Shtator.

“H.O.T” tregon historinë e disa të rinjve, të cilët duke ndjekur ëndrrat e tyre bëjnë disa gabime dhe përballen me sfida, nga të cilat mësojnë dhe rriten.