Sherebela kultivohet në Shqipëri, si një bimë me vlera të larta mjekësore, por edhe si garantuese për ekonomimë e shumë familjeve. Në Koplik të Malësisë së Madhe qindra hektarë tokë janë nën mbretërinë e bimëve mjekësore me një cilësi unike për gjithë rajonin.
Ilir Gjolaj, kultivues i këtyre viseve kujdeset që prodhimi shqiptar të kryesojë tregun dhe të furnizojë prodhuesit vendas me bimë të cilat janë në krye të preferencave ndërkombëtare.
Në një vizitë në parcelat e tij, moderatorja e emisionit të mëngjesit, “Vila 24” në TV “News 24”, Androniki Kolka mëson se Malësia e Madhe jeton me këtë industri.
Gjolaj thotë për TV “News 24” se tokat janë të mbjella vetëm me farën autoktone. Ai shton se sherebela i do reshjet e shiut e më pas korrja bëhet vetëm me dorë për të mos dëmtuar elementet që ajo ka.
Për të mësuar më tej mbi përdorimin e sherebelës dhe vetitë e saj, Kolka në mes të një parcele të gjelbëruar këshillohet me specialistin e bimëve mjekësore, Ylli Merja. Ai e përdor dendur sherebelën në receta apo terapi.
Merja vëren se sa më e përhimtë të jetë gjethja e sherebelës, aq më i lartë është përqëndrimi i vajit esencial të saj. “Ndihmon zemrën, shton pulsin, rrit tensionin”-radhit Merja efektet e kësaj bime duke shtuar se ajo rizgjon organizmin duke larguar lodhjen trupore.
Persona që preferojnë maskat kozmetike bio, sherebela kombinuar me rozmarinë, kastravec, mjaltë, rrihet në havanë dhe përhapet në fytyrë. Pasi pastrohet, lëkura tonifikohet me limon duke nxjerrë kështu në pah qelizat e rigjeneruara.
Përveç kozmetikës, sherebela shërben edhe në kuzhinë. Merja sugjeron që ajo të hidhet në pjatë pasi është servirur gatimi që të mos qëndrojë në temperatura të larta vlimi, me qëllim ruajtjen e vlerave që saj esenciale