Maxhoranca parlamentare ka votuar pro shkarkimit të Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës. Në votim kanë marrë pjesë 114 deputetë, pasi nga 122 deputetë kanë munguar shtatë prej tyre. Nga këta 104 deputetë votuan pro, 7 deputetë kundër dhe 3 abstenim.

Fjalën e fundit për shkarkimin e Presidentit Ilir Metën do ta thotë Gjykata Kushtetuese. Kujtojmë se deputetët që nuk ishin të pranishëm në sallë për të votuar ishin: Ambra Borova, Rudina Hajdari, Enada Koçiraj, Korab Lita, Jetmira Rraboshta, Olta Xhaçka dhe Fidel Ylli.

Pak më herët me 104 vota pro, 7 kundër, 2 abstenim dhe 1 fletë votimi që ishte e pavlefshme, Parlamenti miratoi raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor.

Plot 16 shkelje kushtetute i gjeti komisioni hetimor presidentit Ilir Meta, duke i propozuar parlamentit shkarkimin.

Nga ky hetim komisioni hetimor thekson se presidenti Ilir Meta u kthye në frymëzues të dhunës duke shkelur nenin 88 të kushtetutës si dhe atë 98 duke u përfshirë në fusharë elektorale. Pjesë e provave të renditura në raport është edhe konkluzioni paraprak i monitorimit të zgjedhjeve të 25 Prillit nga OSBE-ODIHR, për të faktuar përfshirjen e kreut të shtetit në fushatë elektorale.

Komisioni mbërriti edhe në përfundimin se presidenti përmes disa shkresave ndërhyri në punën e institucioneve të pavarura.

Shkeljet e kushtetutës nga presidenti komisioni hetimor në raportin final thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në Facebook dhe shkresave dërguar institucioneve.