Michele Merlo, i njohur me emrin e artit si Mike Bird, ish-konkurrent i Amici dhe X Factor në Itali, ka ndërruar jetë. Ai ndodhej i shtruar në repartin e kujdesit intensiv të Spitalit Maggiore në Bolonja, ku nuk ia doli të mbijetonte. Natën, midis të enjtes dhe të premtes, ai u godit nga një hemorragji cerebrale e shkaktuar nga një leuçemi e rëndë dhe iu nënshtrua një operacioni delikat.
Para shtrimit në urgjencë këngëtari 28-vjeçar u dërgua në shtëpi nga spitali, ku sipas familjarëve, simptomat që ai po paraqiste për disa ditë ishin interpretuar si një formë e parëndësishme virale.
I ati, Domenico dje tha:
“Ai shkoi në dhomën e urgjencës në Vergato në autonomi të plotë. Po ankohej për simptomat që një mjek i aftë duhet t’i kishte vënë re. Kishte një migrenë të rëndë për ditë me radhë, dhimbje qafe dhe pllaka në fyt, një shenjë tipike e leuçemisë. Nëse do ta kishin vizituar, do ta kishin parë që ai kishte hematoma. Ne nuk kemi një raport mjekësor. Ai luante sport, nuk pinte alkool, kurrë nuk përdorte drogë, i pëlqente jeta e mirë, të hante mirë, gjërat e mira.”
Familjarët hodhën poshtë edhe disa nga thashethemet që qarkullojnë në rrjetet sociale. Ata theksuan se Michele nuk ishte vaksinuar kundër Covid, por u godit nga një formë e rëndë e leuçemisë dhe pësoi hemorragji cerebrale.