Çmimi i naftës është rritur për herë të dytë brenda 5 muajve të parë të këtij viti duke arritur në vlerën mesatare 161 Lekë për litër.
Në të gjithë pikat e karburantit në kryeqytet nafta dhe benzina janë rritur mesatarisht me 5 Lekë/litër, ndërsa në shkurt rritja ishte me 8 Lekë.
Ekspertët e ekonomisë thonë se shkak kryesor është rritja e çmimit të lëndëve djegëse në bursat ndërkombëtare, pasi Shqipëria është një importues neto i karburanteve dhe çmimi varet gjithnjë nga kursi i këmbimit dhe tregjet e huaja.
“Jemi një vend i varur nga importi dhe rritja gjithnjë ndodh për shkak të lëvizjeve në bursa. Ndryshimet e tjera që ndikojnë në çmim janë ato me natyrë fiskale.”
Që prej Nëntorit të vitit të shkuar, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare nisi një tendencë rritëse, pas vlerave afër zeros që shënoi në fund të muajit Prill.
Prej nisjes së muajit maj, çmimi i një fuçie ka arritur në vlerat e 68 Dollarëve duke u rritur me 15% krahasuar me Prillin. Profesor Adrian Civici thotë se tendenca do të vazhdojë të jetë në rritje për shkak të rigjallërimit të lëvizjeve por dhe pasigurive të konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Këtë vit kemi një rinisje të lëvizjes dhe kërkesë për konsum por dhe konflikti në Lindjen e Mesme rrit pasiguritë për bllokim të rezervave çka rrit dhe çmimin në tregje.”
Që prej fillimit të këtij viti, çmimi i naftës në tregun vendas është rritur me 13 Lekë për litër, por mbetet ende në vlerat më të ulta të mesatares së 5 viteve të fundit.