Kur thua Soni Malaj, ke thënë njëkohësisht edhe ‘baladë’. Por është edhe ekst remisht shpë rthyese sa herë ka një këngë ritmike. Megjithatë, edhe këtë vit rikthimi në “Këngën Magjike” ka vendosur të vijë me një baladë të ndjerë. Por jo sepse ishte dëshira e saj…
“Versioni im” ishte një këngë e shkruar nga Threedots, por në fillim e dëgjuar nga Ardit Gjebrea. Bashkë me çunat, producenti i “Këngës Magjike” mendoi se vetëm Soni Malaj mund ta këndonte.
E ftuar pasditen e sotme në “Rudina”, Soni rrëfeu më shumë për këngën që e riktheu në festivalin e “Këngës Magjike”, pa e pasur fare në axhendën e saj artistike.
“Nuk e kisha fare në plan të merrja pjesë këtë vit. Doja edhe një pushim, nuk e kisha fare në axhendën artistike. Por më mori Arditi në telefon dhe më tha se kishte dëgjuar një këngë shumë të bukur. Çunat e Threedots kishin thënë se e këndon vetëm Soni Malaj”, – tha këngëtarja për këngën e re, të cilën, as vetë nuk e kuptonte pse, por mendonte se nuk do ishte për të.
“Nuk e di pse thoja ‘nuk do jetë për mua’, por megjithatë shkova ta dëgjoj. E dëgjova dhe kam filluar të qaj, më rridhnin lotët… Bruno kishte një grup facoletash aty… Më pëlqeu, sepse është një këngë që kalonte në tri etapa dhe kishte një shpërthim në fund. Pastaj ajo që më goditi ishte teksti. Unë e vlerësoj shumë këngën nga teksti…” – tha Soni ndër të tjera.
Fabula është një dashuri e konsumuar, një përpjekje e sforcuar për t’u mbajtur gjallë vetëm nga njëri partner. Është një situatë e prekshme, ndaj edhe kënga goditi menjëherë dhe ka ecur mjaft mirë deri tani.
Siç tha Soni, ndoshta nuk ishte dita më e mirë e prezantimit të saj, sepse përkoi me 25 prillin e zgjedhjeve, megjithatë ajo ka marrë shumë mesazhe e komplimente nga shumë kolegë, miq e dashamirës të muzikës së saj.