Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, Kryeministri Rama ka vendosur t’ia plotësojë dëshirën të birit, i cili, siç tha vetë kreu i qeverisë një ditë më parë në Tiranë, kishte shprehur dëshirën për të qenë i pranishëm në mbylljen e këtij muaji të gjatë zgjedhor.

Sot, nga Vlora, në qytetin ku kandidon edhe vetë si deputet, Kryeministri Rama është fotografuar me bashkëshorten, Linda Rama dhe me Zahon.

Asgjë më pak se i ati, edhe Zaho ka rënë në sy me stilin e veshjes, xhupin e lëkurës, flamurin kuqezi në dorë dhe, natyrisht, edhe me kapelën ku është stampuar numri 12 i forcës politike që përfaqëson i ati.

Duke ia plotësuar dëshirën të birit, Kryeministri ka bërë edhe që të gjithë objektivët të drejtohet drejt më të voglit të fushatës elektorale. Zaho, edhe pse nuk e kupton dot gjuhën politike të të rriturve, duket po aq i interesuar për të parë e dëgjuar gjithçka ndodh në qytetin e flamurit, të cilin ai nuk e lëshoi asnjë çast nga dora.