“Sekreti i vjetër” vetëm me të verdhë veze, për një fytyrë të re. Gazetarja dhe spikerja e njohur tregon si kujdeset për lëkurën. E ndërsa vitet kalojnë dhe koha bën të vetën ajo vazhdon të mbetet një nga figurat më të dashura për publikun shqiptar.
Tefta Radi tregon disa detaje për preferencat e saj në kuzhinë, recetën e parë të gatuar nga duart e saj, pjatat ku shpalos talentin me aq shumë dashuri dhe sekretet që e bëjnë një amvistë të shkëlqyer.
Ajo tregon gjithashtu sekretin që fshihet pas pamjes së saj vajzërore, pavarësisht viteve që mbart mbi supe. Prej shume vitesh në pension, por jo e papunë siç thotë, ajo vazhdon të ketë një jetë profesionale aktive. Koha bën të veten, por disa kujtime mbeten po aty.
Arrini të kujtoni recetën e parë që keni gatuar? Vërtet jeta fluturon, është e shkurtër, e kur kthehesh pas në kujtime gjithçka të fokusohet si në një film. Sa më shumë vite lë pas, aq më shumë nostalgjike bëhesh. Ndonëse jetesa nuk kishte standardin e sotëm, në fëmininë e rininë tonë, mendoj se dashuria brenda familjes ka qënë e pamasë.
Mezi prisnim pushimet e verës për të shkuar tek gjyshet tona, prej të cilave mësuam më të mirën që qënia njerëzore ka brenda vetes virtytet, sjelljen e hijshme, dashurinë per njerëzit, librin, e pse jo edhe gatimin. Ato nuk përtonin të na gatuanin më të mirën që dinin të bënin:
lakrorët për shembull Korça i ka zanat. Më ka mbetur në mendje lakrori me kumbulla të eg. ra, i pjekur me saç. Ende nuk kam arritur ta shoh një gatim të tillë, apo ta shijoj si atëherë. Mësuam nga gjyshet si të gatuajmë, të bëjmë një gjë të veçantë. Unë kam gatuar që në moshën 12 vjeçare.
Që në fëmijëri, nëna ma ka lënë të hapur shtegun e gatimit. Receta e parë kanë qenë petullat me kos, vezë e pak konjak në vend të sodës si gjëja më e lehtë. Ka ndonjë specialitet në kuzhinë ku ju shkrini gjithë talentin tuaj dhe e gatuani gjithmonë me dashuri?
Në përgjithësi shijoj pa masë perimet. Parapëlqej ta them pa rezerva se talentin e shkrij në tavën me patëllxhana. I gatuaj me shumë dashuri dhe tradicionalisht siç i gatuan nëna ime, një korçare vërtet duarartë.
Ju pëlqen t’i ndiqni recetat e gatimit me përpikmëri apo të eksploroni në kuzhinë, duke gatuar gjëra të reja, duke kombinuar përbërësit që ju pëlqejnë më së shumti? Në përgjithësi më pëlqejnë gatimet tradicionale, me të cilat kuzhina shqiptare është e pasur.
Lloje të ndryshme supërash nga ato me perime e deri tek supërat e prera me vezë, me kos, çomlek, qofte jani, mish turli, pse jo fasulet e në përgjithësi legumet. Nuk parapëlqej ushqimet e thata. Megjithatë gatuaj tavën e kosit, lakronin me spinaq, apo me qepë e domate, pastat e ndryshme, deri tek pastiçja. Më pëlqejnë shumë erëzat të cilat i përdor natyrisht, aty ku shijojnë vërtet.
Cilin ushqim do ta hanit çdo ditë dhe sërish nuk do t’ju mërzitej? Sallatërat në përgjithësi, por në veçanti atë marule me rukola e farëra të ndryshme, si ato të lulediellit, sojës, nisur edhe nga vetitë kurative.
Cila është pjata që ju rikthen pas në kohë, në fëmijëri? Nuk kam turp ta them, trahanaja. Gjyshja na i gatuante me cigaridhe. Fshati ofron shumë mundësi. Ishte mjaft e shijshme, ndërsa në shtëpi nëna na e gatuante me vaj ulliri e salcë, ose vaj ulliri e djathë. Kur isha e vogël, kisha një komshi që kishte shumë fëmijë, 7. E quanin Agllai.
Për t’i mbledhur fëmijët e shumtë, siç thotë populli me lugë, e gatuante trahananë çdo mëngjes. Unë do të isha pjesë e tyre, në tepsinë e madhe që vihej mbi tavolinë nuk do të mungonte luga ime. Trahanaja e saj më dukej shumë më e shijshme se e shtëpisë sonë.
Sa rëndësi kanë për ju detajet që nga përgatitja e pjatave, dekorimi apo elementë të tjerë të përgatitjes së tyre? Të shtruarit e tavolinës është art më vete. Një tavolinë e bukur të bën ta shijosh vërtet edhe më tepër ushqimin. Por sot jeta është shumë intensive, e nuk bëhemi e gjithë familja bashkë në një kohë për ta shtruar tavolinën vërtet bukur.
Si të thuash jemi bërë më praktikë, më të thjeshtë në të përditshmen tonë. Mbetet si rrallë herë të shtrohet me gjithçka që ta kënaq syrin, në raste festash apo gëzimesh familiare.
Megjithatë, mua nuk më mungon kurrë qiriri në mes të tavolinës, trashëguar nga e mira vjehrra ime, një katolike aristokrate në sjellje e tradita. Në gatimin e supës së peshkut ishte pa konkurrencë. Sa shpesh gatuani në shtëpi për familjen tuaj? Po për miqtë, ju pëlqen t’i mblidhni për darkë në shtëpinë tuaj?
Gatuaj çdo ditë, jo vetëm sot që e kam vetë në dorë menaxhimin e kohës, por edhe atëherë kur ngarkesën e punës e kam pasur pa limit kohe. Dikur po, ndërsa tani parapëlqej të dal jashtë shtëpisë, zakonisht në zonat rurale ku natyra të shplodh.
Ka ndonjë recetë të veçantë që ju e gatuani edhe sot e kësaj dite, si në rininë tuaj të hershme? Janë petullat me bishta qepësh të njoma të grira imët, me nenexhik e erëza të tjera. I kam mësuar prej gjyshes. Në Leskovik i quanin q. ifte.
Cili është sekreti që fshihet pas pamjes tuaj prej vajze të re: qendrat estetike apo maskat me produktet bio të përgatitura vetë në shtëpi? Nuk jam dalluar për frekuentimin e qendrave estetike.
Edhe në përdorimin e kremrave kam qenë e rezervuar. Nganjëherë është edhe çështje geni thotë populli. Mendoj se larja e fytyrës edhe çdo mbrëmje para gjumit, me ujë e jo locionet e ndryshme, është diçka e mirë, një porosi kjo sërish prej gjyshes sime. Ndonjëherë e lyej fytyrën me të verdhën e vezës e pasi thahet, e fërkoj.
Bashkë me vezën largohen edhe papastërtitë e lirohen poret. Edhe ky fakt, një këshillë prej saj. Cilat janë ushqimet që konsumoni dhe ju bëjnë të ndjeheni në formë, pavarësisht kohës që kalon? Perimet dhe frutat. Ndër perimet futet edhe karota të cilën e shijoj shumë.
Më pëlqen ta konsumoj, pasi e pastroj dhe vendos në frigorifer. Bëhet më krokante, më e lehtë në përtypje dhe shumë e shijshme. Jeni një figurë shumë e dashur për publikun shqiptar, pasi identifikoheni me fillimet e gazetarisë në Shqipëri.