Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kishte parashikuar aktivitete elektorale në qarkun e Fierit këtë të hënë. Por ndarja nga jeta e Bashkim Finos, deputet i Kuvendit dhe ish-kryeministër, ka bërë që kreu i opozitës të shtyjë takimet politike të parashikuara.

“Për shkak të ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit dhe deputetit të parlamentit Bashkim Fino, kryetari i PD Lulzim Basha vendosi të shtyjë aktivitetet politike të parashikuara për ditën e sotme në Fier me pjesëmarrjen e tij”, thuhet në një deklaratë të PD-së.

Më herët, kreu i PD-së në Fier, Luan Baçi, deklaroi para qytetarëve që ishin në pritje të Bashës, se lideri i tyre ishte kthyer nga rruga për të respektuar këtë ditë zie.

“Ju falenderoj përzemërsisht dhe më lejoni t’ju them se sot Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë zoti Basha e ka anuluar këtë takim, është kthyer nga rruga duke qenë se sot një nga deputetët e parlamentit shqiptarë të PS, zoti Fino ka ndërruar jetë. Si qytetarë që jemi ne do të respektojmë këtë ditë zie të shpallur duke anuluar takimin tonë të sotëm dhe duke qenë pas disa ditësh në një takim më të madh”, tha Baçi.

Bashkim Fino humbi jetën për shkak të koronavirusit. Ai ishte në listën e PS-së për Qarkun e Fierit si kandidat për deputet. /tvklan.al