Nga Enida VËRÇA
Ai u largua si çdo ditë, me vrapin që e shoqëronte çdo mëngjes. Më puthi në ballë, fort, fort. Më të qeshur më tha se e kisha lënë pa gjumë gjithë natën nga të qarat e mia, që tani dimë t’ u vendosim një emër. Më tha se do të kthehej dhe se gjithë darkën do të luanim bashkë. Nisa të qaja më shumë se çdo herë tjetër, kur ai mbyllte derën. Më tha të mos llastohem dhe se do të kishim gjithë fundjavën para. Do të më bënte xhiro, e madje do më merrte hopa gjithë ditën sipër qafës, ashtu siç mua më pëlqente. Askush nuk po e kuptonte, pse unë nisa të qaja me ngashëri. Mami mendonte, se ishte dhëmbi i radhës që po dilte (jam vetëm 2 vjeç), ose një e ftohur më shkaktonte dhimbje barku. Asnjëra nga këto nuk ishte. Thjesht doja që ai të mos shkonte në punë atë ditë.
Por, një ditë mungesë në punë, përkthej në lekë më pak në fundin e muajit për familjen tonë. Me atë rrogë, duhej të bliheshin pelenat e mia, vizitat e shpeshta te pediatri, ushqimet e muajit, ujë- drita dhe një xhiro në fundjavë që më bënte bashkë me Heroin, nga mëngjesi deri në darkë. Sa e doja atë ditë…
Heroi, punonte me ndershmëri dhe dinjitet nga mëngjesi në darkë. Shpeshherë oraret ishin të tejzgjatura dhe kur ai vinte në shtëpi, më gjente në gjumë. Po ashtu, ishin të rralla mëngjeset kur ai priste zgjimin tim. Përshëndetjen e parë, ia jepte kolegëve dhe urimin e fundit në darkë me “Natën e mirë”, e dëgjoja nëpër gjumë.
E ashtu me të qarat qurravitëse e përcolla Heroin tim, që brenda pak orëve të asaj të mërkure u bë Heroi i të gjithëve. Baba, ishte kudo atë ditë. Në çdo media shkruhej për të dhe pse shumë prej tyre, nuk saktësonin se ku kishte ndodhur ngjarja. “Vetëm 3 km larg nga qendra e Tiranës”, kështu nisin shkrimet. Prindërit e Heroit, prisnin me ankth një lajm, bashkëshortja e Heroit më përkëdhelte kokën dhe më thoshte: “Po vjen Baba”.
Tre ditë kërkime dhe ende nuk kishte dritë në fund të tunelit. Reagimet zyrtare ishin thuajse inekzistente. Përpjekjet për gjetjen e Heroit tim ishin minimale. Zj arrfikëset nuk kishin të gjitha mjetet për të shpëtuar Heroin, që shpëtoi 25 vetë. Në ndihmë të zj arrfikësve mbërriti dhe ekip i ushtrisë, por ishte vonë…Shpresat po digjeshin nën fl akët e atij zja rri që e shkrumbuan përsëgjalli.
Tani, ai nuk e di nëse do të shpallet “Dë shmor i Atdheut”, nëse do ketë vizitë qeveritare në shtëpinë e tij modeste. Nëse do të ketë një fond të posaçëm për të siguruar të ardhurat mujore të familjes. Heroi im nuk e di nëse emri i tij do të shënohet në ndonjë rrugë. Po ashtu nuk e di nëse unë do të quhem biri i një Heroi. Por a ka më rëndësi? Ai i mbylli sytë përgjithmonë!
P.S.Ky shkrim i dedikohet, Arjan Salës, 33-vjeçarit që humbi jetën pranë qendrës tregtare ‘Casa Italia’, Tiranë, ku sakrifikoi veten për të shpëtuar punonjësit. Ai la pas, djalin 2-vjeçar, bashkëshorten, prindërit dhe vëllanë.