Kompozitori i njohur Agim Krajka është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare.
Lajmin e bën të ditur i biri i tij, i cili ka ndarë lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të njeriut që i dha shumë muzikës shqiptare.
“Uroj që shpirti yt të pushojë në qiell babai ynë i dashur”, shkruan i biri, Ulis Krajka.
Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati.
Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë.
Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime.
Krijues i muzikës së filmave “Çifti i lumtur”, Zonja nga qyteti”, “Zonja nga fshati”, “Njësiti Gueril” etj.
Muzikës skenike të baletit me një akt “Duarartët vigjëlentë” ekzekutuar nga TKOB në vitin 1981.
Përveç këtyre punimeve të mësipërme ka lëvruar mjaft motive vallesh të cilat janë nderuar edhe me çmime të para si: vallja e Librazhdit, vallja e Tiranës, vallja çame etj.
Për aktivitetin dhe kontributin e tij artistik është vlerësuar me çmime, urdhra e medalje dhe mban titullin: ‘Mjeshtër i Madh’.