Duke nisur nga e shtuna e kësaj jave, 15 maj 2021, dhe tri javët e ardhshme, të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar, do të zëvendësojnë orët e humbura gjatë këtij viti shkollor.
Vendimi është marrë nga Ministria e Arsimit për të zëvëndësuar 4 ditët e fillimit të janarit, të cilat u lanë pushim për shkak të situatës së rënduar nga virusi Covid-19, temperaturave të ulëta e motit të keq.
Zyrat arsimore udhëzojnë që drejtuesit e institucioneve arsimore të tregojnë fleksibilitet në hartimin e orarit mësimor, në raport me programin mësimor që ka mangësi në realizimin e tij. Në çdo shkollë drejtoritë kanë zhvilluar testime në çdo klasë, pa vlerësim me notë, por ato shërbejnë për të evidentuar dobësitë e nxënësve për shkak të zhvillimit të mësimit online dhe për të hartuar më tej planin për plotësimin e boshllëqeve në vijim.
Katër të shtunat mësim do të vijojnë në Tiranë deri në mbyllje të vitit arsimor për shkollat 9-vjeçare, të cilat përfundojnë më 8 qershor, ndërsa provimet e arsimit bazë janë në periudhën 9-30 qershor 2021.
Ndërsa shkollat e mesme do të përfundojnë një javë më vonë, më 15 qershor. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, për vitin shkollor 2020-2021 maturantët mbarojnë vitin më herët, më 1 qershor, pasi nisin sezonin e provimeve të maturës në periudhën 2-30 qershor.
Drejtoria Arsimore e Tiranës ka nxjerrë këtë urdhër me qëllim, që nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të zëvendësojnë mësimin e humbur, ndërsa përsa u përket qarqeve të tjera, priten urdhra nga drejtoritë arsimore rajonale përkatëse.