Mbetjet e raketës kineze që po ktheheshin përsëri drejt Tokës janë shpërbërë mbi Oqeanin Indian.
Media shtetërore kineze noftoi se pjesa më e madhe e raketës u shkatërrua gjatë ri-hyrjes, por pjesët e mbetura ranë në një vend me koordinata 72.47 ° në Lindje dhe 2.65 ° në Veri. Dhe kjo pikë shtrihet në perëndim të Maldiveve.
Faqet e gjurmimit të SHBA-ve dhe Evropës kishin monitoruar rënien e pakontrolluar të raketës Long March-5b. Media shtetërore kineze tha se pjesë të raketës hynë përsëri në atmosferë në 10:24 me orën e Pekinit të dielën.
Komanda Hapësinore e SHBA-ve tha në një deklaratë se ajo mund të “konfirmojë se Long March-5b ka ri-hyrë mbi Gadishullin Arabik”. Agjencia tha gjithashtu se ishte ende “e panjohur nëse mbeturinat ndikuan në tokë ose ujë”.
Përpara hyrjes së raketës ekzistonte frika se mbetjet mund të binin në një zonë të banuar. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Lloyd Austin tha se Kina kishte qenë neglizhente, duke e lejuar raketën të dilte nga orbita.
Sidoqoftë, ekspertët e hapësirës kishin parashikuar se shanset që dikush të goditej nga një pjesë e raketës ishin shumë të vogla, kjo sepse pjesa më e madhe e sipërfaqes së Tokës është e mbuluar nga oqeani dhe zona të mëdha toke janë të pabanuara.