Për brumin: 1 kg miell 00, 5 të verdha veze në temperaturë ambienti. 1 gotë uji vaj (misri ose luledielli) 1 gotë qumësht, 1 gotë kos

Për mbushjen: 1 kg arra të qëruara.

1 filxhanë kafe sheqer

750 g gjalpë i shkrirë (gjalpin kur ta shkrini lëreni t’i dalë sipër shkuma, hiqeni dhe lëreni të kullojë pjesa e djegur e ujit që përmban që në gjuhën popullore quhet drra).

Miellit i hapni një gropë në mes dhe shtoni të verdhat e vezëve, i përzieni me pirun dhe pastaj shtoni kosin, qumështin dhe vajin. Zini brumin duke e punuar mirë me duar. I gjithë sekreti i kësaj bakllavaje është te punimi i brumit, i cili duhet punuar mirë e mirë. Lëreni të vijë për 30 minuta dhe pasi ka pushuar e ndani në 4 pjesë të barabarta, çdo pjesë e punoni me dorë si shkop dhe e ndani në pjesë të barabarta sa një kokërr arre. Duhet të jenë gjithsej 90 kuleçë të vegjël.

I hapni në petë të vogla dhe duke i lyer me niseshte i vendosni mbi njëra-tjetrën 3 e nga 3. I hapni pastaj këto petë të vogla në një petë të madhe. Duhet të jenë gjithsej 30 peta të mëdha. Sipas dëshirës dhe kohës mund t’i lini pak petët të thahen për rreth 1 orë. Kini kujdes mos t’i vendosni sipër njëra-tjetrës pasi ju ngjiten dhe nuk ju thahen. Në këtë mënyrë bakllavaja do t’ju dalë edhe më e shkrifët.

Thyeni thelpinjtë e arrave me duar dhe kontrollojini mos ka ngelur ndonjë lëvozhgë. Përziejini me sheqerin.

Shtroni petët në tavë një e nga një duke lyer çdo petë sipër me pak gjalpë të shkrirë. Pasi keni shtruar 10 petët e para shtroni një shtresë me arra. Shtroni 10 petë të tjera gjithmonë duke i spërkatur me gjalpë të shkrirë. Bëni përsëri një shtresë me arra.

Mbuloni me 10 petët e fundit dhe këto të spërkatura në çdo petë me gjalpë. Priteni në rombe dhe sipër hidhni gjalpin që ka tepruar.

Vendoseni të piqet në 100 -120° C për 3 – 4 orë. Pastaj ngrijeni me telin e furrës që mos t’ju digjet poshtë. Nëse akoma nuk është skuqur, ngrijeni në mesin e furrës dhe e lini disa minuta të tjera në furrë. Për ta kontrolluar nëse është pjekur mirë dhe brenda me kujdes heqim një petë të vogël në mes të bakllavasë dhe fërkojeni në dorë, nëse shkërmoqet dhe nuk bëhet si brumë atëherë ajo është pjekur. Dallohet edhe nga ngjyra e kuqërremtë që merr bakllavaja sipër.

SHERBETI:

2 kile sheqer përziejini me 1 litër e gjysmë ujë dhe pak limontoz. Vendoseni ne zjarr dhe aromatizojeni me një shkop kanelle dhe disa kokrra karafili. Llogarisni që ta lini edhe 10 minuta pasi ka marrë valë. Hiqeni dhe lëreni të ftohet për 10 minuta. Pastaj hidhjani bakllavasë që duhet të jetë komplet e ftohur.

Konsumojeni mbas një dite kur bakllavaja të jetë njomur plotësisht dhe të gjitha aromat të jenë bashkuar me njëra-tjetrën.