Një prej figurave më të rëndësishme, pjesë e Partisë Socialiste që prej krijimit të saj, Gramoz Ruçi, në Kongresin e jashtëzakonshëm që po mbahet këtë të shtunë njoftoi se me nisjen e legjislaturës së re në Shtator, nuk do të jetë më pjesë e kësaj force politike.

“Gjatë këtij mandati që po përfundojmë me mua ka bashkëjetuar një pyetje: Kur dhe ku unë Gramoz Ruçi do deklaroj fundin e kësaj maratone time politike, pasi çdo politikë, ka startin e nisjes ka dhe finishin e mbërritjes. Prandaj miqtë e mi, unë kam zgjedhur sot, se s’ka më mirë sesa 30 vjetori i Partisë Socialiste të Shqipërisë, s’ka më mirë se sot, që ne kemi fituar mandatin e tretë të qeverisjes, s’ka më mirë se pas disa muajsh unë kam edhe një përvjetor tjetër personal, 70 vjetorin e ditëlindjes time… që të deklaroj këtu para jush, se në 9 Shtator, që fillon legjislatura e re, nuk do të ushtroj më mandatin që më ka dhënë PS dhe socialistët shqiptarë të qarkut të Fierit dhe se nuk do të kem ambicien për të qenë në asnjë organ të zgjedhur ekzekutiv të familjes time politike që më ka dhënë kaq shumë në këto 30 vjet”, tha mes të tjerash Ruçi.

Dy fjalë për Gramoz Ruçin i kishte edhe Kryeministri Edi Rama.

“Kur Gramozi më tregoi vendimin e tij për t’u tërhequr nga politika aktive pas 30 vitesh në shërbim të PS pata ndjesinë e këputjes së krahëve. Duke e njohur e kuptova që ishte vendim i marrë pa asnjë mundësi rishikimi. Nuk e gjej do si do të mbushet boshllëku i tij. Gramozi hyn tek një lloj shumë i rrallë protagonistësh që zëvendësohen me shumë vështirësi dhe duan një kohë të konsiderueshme për t’u zëvendësuar, kur kjo ndodh, sepse nuk ndodh gjithmonë. Kjo do të jetë një sfidë më vete për mua dhe për ne. Të jam mirënjohës për çdo gabim që nuk më ke lënë të bëj”, tha Rama. /tvklan.al