Edhe pse KQZ, OSBE-ODHIR nuk kanë dalë ende me një qëndrim përfundimtarë për zgjedhjet e 25 prillit, Edi Rama, duket se ka vijuar punën propagandistike.

Ai e ka nisur ditën këtë të premte me një video 3D të aeroportit të Vlorës, ku tregon zhvillimin që do t’i sjellë vendit ndërtimi i tij.

Në këtë video, që e sjell në formën e një rrëfimi, Rama thotë se do të bëhet e mundur që nëpërmjet këtij aeroporti shqiptarët të vijnë direkt nga Amerika në Shqipëri.

“Të gjitha kushtet e aeroportit të Vlorës janë të tilla që fluturimet të jenë Vlorë- Nju Jork dhe Nju-Jork Vlorë sepse “Fan Nolin” ne do ta çojmë në Amerikë dhe shqiptarët do ti sjellim nga Amerika direkt në Shqipëri”, thotë Rama.

Po ashtu, ai shton se në Vlorë do të ngrihet edhe Akademia e Aviacionit Civil që do të prodhojë ekspertë shqiptarë të aviacionit.

“ Ne do të investohemi si shtet për të ndërtuar Akademinë e Aviacionit që do prodhojë ekspertët shqiptarë e deri te pilotët. Shqipëria do të jetë një vend ku numri i vizitorëve do të rite eksponencialisht. Jam i bindur që vlonjatët do ndjehen edhe më krenarë, të huajit do ndjehen qysh muajin e parë të mrekulluar në këtë vend. Sot është koha që së bashku ta bëjmë Shqipërinë që të mos e ulë më kokë, por përkundrazi ta ngrejë lart e më lart”, thotë Rama.